Home Këshilla Si ndikon uji i detit në lëkurën tuaj?

Si ndikon uji i detit në lëkurën tuaj?

by Xh D

Historikisht, uji i detit njihet për vetitë shëruese dhe qetësuese. Që në fund të shekullit të 16-të mjekët anglezë filluan të miratonin efektet shëruese të ujit të detit. Nxitja e  qarkullimit të gjakut, qetësia mendore madje dhe ndihma në kurimin e disa sëmundjeve janë vetëm disa nga efektet shëruese të tij. Edhe në ditët e sotme, ende mendojmë me kërshëri për detin, sepse e lidhim me relaksimin e trupit dhe mendjes tonë.

Ka shumë persona që shprehen se pas një zhytjeje në det ndjejnë përmirësime në gjendje të ndryshme të lëkurës. Por, megjithëse uji i  ftohtë dhe i kripur i detit ka përfitime të shumta ai gjithashtu ka edhe disa rreziqe që janë të rëndësishme të merren parasysh. Shumë produkte të kujdesit të lëkurës përfitojnë nga kripërat e detit. Nëse po planifikoni të bëni plazh këtë verë, duhet të kini kujdes. Uji i kripur do të ndikojë në lëkurën tuaj.

Prandaj le të zhytemi më thellë në përfitimet dhe rreziqet që sjell deti kur bëhet fjalë për lëkurën, dhe në mënyrën se si mund të qëndrojmë të mbrojtur.

Avantazhet e ujit të kripur

E ke vënë re sa e butë është lëkura pas një noti sado të shpejtë? Kjo ndodh sepse uji i kripur hap poret, gjë që ndihmon në largimin e toksinave nga lëkura. Nëse keni puçrra, uji i kripur largon vajin e tepërt nga lëkura juaj. Duke qenë se uji i detit ka një përmbajtje të pasur minerale, që përmban disa lëndë ushqyese për të cilat lëkura jonë ka nevojë, përmendim këtu: magnez, kalium, kalcium, selen, natrium dhe squfur.

Magnezi në këtë koktej mineralesh është veçanërisht i dobishëm për lëkurën e thatë. Njerëzit që kanë ekzemë apo psoriazë kanë vënë re përmirësime nga uji i pasur me magnez, si përshembull ai i Detit të Vdekur i cili është i mbushur nga kripa cilësore. Mijëra udhëtojnë çdo vit në Detin e Vdekur për për t’u larë në vetitë e tij shëruese.

Për më tepër, kripa është antimikrobike dhe antibakteriale, kështu që notimi në ujë me kripë mund të ndihmojë në largimin e baktereve që shkaktojnë puçrra. Trajtimet me kripë po bëhen gjithnjë e më të popullarizuara për të luftuar plakjen dhe lëkurën problematike. Ato vlerësohen si më të sigurtat, për të gjitha llojet dhe nuancat e lëkurës. Më konkretisht kripa :

  • Heq qelizat e vdekura
  • Rrit nivelin e lagështirës
  • Shtreson lëkurën
  • Redukton inflamacionin

Disavantazhet e ujit të kripur

Megjithëse uji i detit është plot me minerale të dobishme për lëkurën, gjithsesi ai mbart disa rreziqe. Duke qenë se po vazhdojmë të ndotim oqeanet tona me ujërat e qytetit, plazhet me rërë që ne mundohemi të shijojmë po bëhen gjithnjë e më toksike. Ekspozimi i tepërt  në këto ujëra mund të shkaktojë sëmundje të frymëmarrjes,të zorrëve ose dhe infeksione të veshit apo të lëkurës. Duke qenë se lëkura është linja e parë e mbrojtjes së trupit, kur bakteret merren nga trupa të huaj, lufta ndaj tyre apo infeksionit bëhet e vështirë.

Edhe pse uji i kripur ka përfitime, duhet të keni kujdes të mos e teproni qëndrimin në të.  Nëse e keni lëkurën e thatë ajo mund të përkeqësohet. Ne ju këshillojmë të lani mirë fytyrën pas notit dhe ndiqeni kujdesin e saj me një krem rigjenerues organik. Qëndrimi i gjatë në ujë, mund të bëjë që lëkura juaj të ketë një rrezik më të lartë të digjet sepse rrezet e dritës reflektojnë në det. Duhet patjetër të përdorni një krem mbrojtës ndaj diellit. Notim të mbarë!

Related Articles

Leave a Comment

error: Content is protected !!