Home News Nigeri : Shembet ndërtesa e lartë, 6 persona humbin jetën.

Nigeri : Shembet ndërtesa e lartë, 6 persona humbin jetën.

by E Ll

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën pasi një ndërtesë shumëkatëshe në ndërtim e sipër u shemb në kryeqytetin tregtar të Nigerisë, Lagos, thanë zyrtarët, ndërsa dhjetëra të tjerë dyshohet se janë bllokuar brenda.

Një ekskavator i verdhë shtyu pllaka betoni në kërkim të njerëzve në rrënojat e ndërtesës 21-katëshe, e cila u shemb të hënën në lagjen Ikoyi të Lagos.

Agjencia e menaxhimit të emergjencave shtetërore të Lagos tha të martën se të paktën gjashtë persona kishin vdekur.

Zyrtarët e shpëtimit thanë se shumë punëtorë u kapën brenda ndërtesës kur ajo u shkatërrua, megjithëse nuk mund të konfirmonin numrin e njerëzve të bllokuar. Dëshmitarët thonë se deri në 100 persona janë të zhdukur.

Zyrtarët që mbërritën në vendngjarje u përballën me turma njerëzish që shfrynin zemërimin e tyre që përpjekjet e shpëtimit filluan disa orë pas shembjes.

Femi Oke-Osanyintolu, menaxher i përgjithshëm i agjencisë shtetërore të menaxhimit të emergjencave në Lagos, tha se “shumë” punëtorë janë bllokuar në rrënoja, pa dhënë një shifër të saktë.

Katër persona u shpëtuan të gjallë dhe tre të tjerë u trajtuan për lëndime të lehta në vendngjarje, tha ai.

Presidenti i Nigerisë Muhammadu Buhari ka bërë thirrje për shtimin e përpjekjeve të shpëtimit ndërsa shërbimet e urgjencës, duke përfshirë spitalet, po hyjnë në veprim.

Punëtorët e ndërtimit në kantier i thanë agjencisë së lajmeve AFP se dhjetëra kolegë të tyre ishin brenda kur ndërtesa u shkatërrua.

Zona Ikoyi është një nga distriktet më të pasura të banimit dhe biznesit në Lagos, qyteti kryesor tregtar me popullsi të dendur të Nigerisë.

Shembjet e ndërtesave janë të zakonshme në Lagos dhe pjesë të tjera të vendit më të populluar të Afrikës për shkak të përdorimit të materialeve nën standarde dhe shkeljes së rregulloreve të ndërtimit.

Në një nga katastrofat më të rënda të ndërtesave, më shumë se 100 njerëz, kryesisht afrikano-jugorë, vdiqën kur një bujtinë e kishës u shkatërrua në Lagos në vitin 2014.

Related Articles

Leave a Comment

error: Content is protected !!